Kurrikula bërthamë në klasën e 10 dhe 11 është e detyruar dhe e njëjtë për të gjithë; në klasën e 12, përveç lëndëve të detyruara dhe të njëjta për të gjithë nxënësit, për lëndën Matematikë nxënësit mund të zgjedhin brenda kurrikulës bërthamë programet sipas niveleve A (ku A është niveli i avancuar) dhe B (ku B është niveli bazë).
Kurrikula me zgjedhje ofrohet në të tria klasat, por ajo vjen duke u rritur në klasën e 12, ku ka një përqindje të konsiderueshme të orëve. Kurrikula me zgjedhje fokusohet në zgjedhjen e lëndëve dhe moduleve profesionale që nuk zhvillohen në bërthamë.
Kurrikula me zgjedhje ofrohet në të tria klasat, por ajo vjen duke u rritur në klasën e 12, ku ka një përqindje të konsiderueshme të orëve. Kurrikula me zgjedhje fokusohet në zgjedhjen e lëndëve dhe moduleve profesionale që nuk zhvillohen në bërthamë.
Viti shkollor do të zgjasë 36 javë për klasën 10 dhe 11, ndërsa zgjat 34 javë për klasën e 12. Java mësimore ka 30-32 orë mësimore. 30 orë në javë shkolla detyrimisht i plotëson me kurrikulën bërthamë dhe kurrikulën me zgjedhje, ndërsa 2 orë të tjera i mundësojnë shkollës zbatimin e kurrikulës në bazë shkolle lidhur me projekte ndërkurrikulare/veprimtari të tjera shkollore.
Nxënësi ka detyrimin të zhvillojë 30 orë në javë për secilin vit shkollor si dhe 18 orët e shërbimit komunitar. Orët e shërbimit komunitar nxënësi i plotëson në hapësirën e kurrikulës në bazë shkolle. Shërbimi komunitar sugjerohet të kryhet në klasën e 10-të dhe/ose në klasën e 11-të.
Shpjegime për secilën klasë:
– Klasa 10 ka 28 orë kurrikul bërthamë që zhvillohen në 12 lëndë (Gjuha Shqipe dhe Letërsi llogaritet 2 lëndë), ndërsa kurrikula me zgjedhje ka 2 orë, në të cilën mund të zhvillohen lëndë/module kurrikulare.
– Klasa 11 ka 27 orë bërthamë, të cilat zhvillohen në 12 lëndë (Gjuha Shqipe dhe Letërsi llogaritet 2 lëndë) dhe 3 orë kurrikul me zgjedhje në të cilën mund të zhvillohen lëndë/module kurrikulare.
– Klasa 12 ka 14 deri në 16 orë kurrikul bërthamë. Numri i orëve të kurrikulës bërthamë varion sipas zgjedhjeve të programeve A dhe B që bëjnë nxënësit për lëndën Matematikë. Kurrikula me zgjedhje ka 17 -19 orë në të cilat mund të zhvillohen lëndë/module kurrikulare.
– Shërbimi komunitar është i detyruar të kryhet në 18 orë. Ai mund të kryhet në klasën e 10 dhe/ose në klasën e 11. Orët e shërbimit komunitar nxënësi i plotëson në hapësirën e kurrikulës në bazë shkolle.
– Modulet kurrikulare në kurrikulën me zgjedhje mund të kryhen në ato raste kur shkolla ka mundësi që t’i ofrojë dhe në rast se nxënësi ka interes për to. Në rast të kundërt ato mund të plotësohen me lëndë të tjera nga kurrikula me zgjedhje. Modulet kurrikulare mund të jenë 1 ose 2 orë në javë. Në kurrikulën me zgjedhje modulet kurrikulare planifikohen dhe vlerësohen njësoj si lëndët e tjera të planit mësimor.
– Shkolla mund të zgjedhë module nga lista e moduleve kurrikularë dhe profesionale (shtojca 1). Çdo modul tjetër jashtë kësaj liste, i hartuar në bazë shkolle, duhet të miratohet nga DAR-i përkatës.